Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1951)

        Një jetë të tërë në shërbim të vendit dhe besimit


Hafiz Ibrahim Dalliu lindi më 1878 në një familje tiranase e karakterizuar nga fryma dhe parimet e fesë islame. Aty ai mori bazat e edukimit familjar dhe të formimit fetar. Duke ndjekur këtë rrugë, ai kreu edhe studimet në Stamboll. Gjatë tyre, Ibrahimi konsolidoi parimet fetare dhe intelektuale duke u përgatitur si një ndër klerikët, intelektualët, kontribuesit e rëndësishëm të shoqërisë dhe patriotët më në zë të kohës së tij. Ai ishte teolog, përkthyes, poet, publicist, mësues dhe aktivist shqiptar.

Hafiz Ibrahim Dalliu, sapo u kthye në atdhe, në moshën 21-vjeçare, mori përsipër detyrën e mësuesit në një nga shkollat e para të Tiranës (1901), së bashku me Filip Ashikun dhe Hoxhë Voglin me gjithë vështirësitë e shumta e pa u shkëputur nga detyra e imamit në faltoret e qytetit. Menjëherë pas kthimit të tij, ai u angazhua dhe u bë një aktivist i palodhur në shërbim të kombit dhe shoqërisë. Më 1908 ai hapi shkollën e parë të vajzave në Tiranë, ku u përgatitën mësueset e para të njohura si: Servete Maçi etj.
Në formimin me ndjenja patriotike te Dalliu ndikoi bashkëpunimi me atdhetarë shqiptare. Në librin e tij “Patriotizma në Tiranë”, autori ka përmendur mbi 150 burra aktivistë e veprimtarë të vendosur të kombit, ku numëron edhe 15 emra hoxhallarësh tiranas. Këto dhe aktivizimi i tij i palodhur në çështjen kombëtare, qenë motivet që Hafiz Dalliu u zgjodh delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit më 1909, ku u vendos edhe hapja e Normales së Elbasanit (e para shkollë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe në Shqipëri), e ku Hafiz Dalliu u emërua mësues i kësaj shkolle të re përkrah Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Sotir Peçit me drejtor Luigj Gurakuqin. Aleksandër Xhuvani ndër te tjera shkruan: “ Normalja ka në themelin e saj djersën dhe kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut”. Mirëpo këto bindje dhe qëndrimet e kundërta me pushtetin e asaj periudhe e çuan Hafiz Dalliun në burgje mizore deri në dënim dhe përndjekje. Falë ndihmës së miqve dhe shokëve si Hasan Prishtina, Mihal Grameno etj, regjimi i kohës u detyrua ta lirojë.

Pas vitit 1912 Hafiz Ibrahim Dalliu iu kushtua publicistikës dhe letërsisë satirike. Më vonë drejtoi gazetën politike “Dajti”. Nga viti 1918 deri më 1924 botoi një varg veprash satirike, duke u bërë kështu ndër të parët poetë satirikë që çanë rrugën e humorit në letërsinë shqipe. Ndër veprat më të dalluara janë: “Grenxat e kuqe” (1918), “Dokrat e hinit” (1920), “Kabineti i Xhafer Ypit” (1922) etj. Ai shkroi gjithashtu edhe librin me vjersha patriotike “Kreshniku i atdheut”, si dhe monografinë “Patriotizma në Tiranë” (1930). Por njohjen si
poet ai e fitoi me elegjinë kushtuar Avni Rustemit, ndërsa popullaritetin nga qëndrimi i tij stoik kundër torturave që i bënë pushtuesit e Shqipërisë. Atdhedashuria e Hafiz Dalliut vihet në dukje dhe në një nga këngët e “Lahutës së Malësisë”, ku Gjergj Fishta ndër të tjera shkruan: “…a isht shqiptar apo
osmanli”… U përgjegj me trimëni: “Jam shqiptar me gjuhë e fis”.
Hafiz Ibrahim Dalliu ishte një ndër mbështetësit e lëvizjeve demokratike të viteve 1920-1924. Vrasja e Avni Rustemit e brengosi atë pa masë. Por ai gjeti forca dhe i thuri këtij martiri të shquar, një këngë, jehonën e së cilës e dëgjuan të gjitha viset shqiptare. Hafiz Ibrahim Dalliu u përndoq nga disa regjime njëri pas tjetrit dhe në fund edhe nga regjimi komunist. Por, karakteri shumë i fortë dhe besimi në Zotin e gjithësisë, e mbante atë të patundur për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë. Kështu e gjithë jeta e Dalliut është e ngjeshur me ndjekje policore, arrestime e persekutime të njëpasnjëshme, si pasojë e veprimeve të tij kundër padrejtësive dhe angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e interesave të popullit dhe Shqipërisë.
Pas Luftës II Botërore u emërua mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës për lëndët e Besimit Islam. Vendosja e diktaturës së shtetit komunist cenonte interesat e të gjitha shtresave dhe të drejtat e masave popullore, prandaj Hafiz Dalliu nuk mund të pajtohej me regjimin shkatërrues diktatorial. Pikëpamjet e tij i shprehte hapur qoftë edhe përpara nxënësve gjatë orës së mësimit. Në atë kohë thuhej se atje ku ishin ngjarjet e mëdha të vendit, atje gjendej dhe Hafiz Dalliu. Vetë Hafizi thoshte: “…Përderisa në vendin tonë do të dominojnë e do të administrojnë njerëz që nuk mendojnë në të mirë të Atdheut, unë do të jem në opozitë…”

Kështu diktatura komuniste e arrestoi dhe e burgosi, duke e torturuar pa asnjë argument ligjor. Pas disa vitesh persekutimesh nëpër qelitë e burgjeve komuniste u lirua ky opozitar i përjetshëm. Kështu ai del nga burgu, i sëmurë e i dobësuar sa nuk qëndronte dot në këmbë. Për pasojë në shkurt të vitit 1952 Hafiz Ibrahim Dalliu ndërroi jetë.  Ai nuk kurseu as pasurinë, as fuqitë fizike e as intelektin e tij me gjithë horizontin e gjerë kulturor në të mirë të Shqipërisë dhe fesë.

H. Ibrahim Dalliu ishte i bindur se pa një shtet të stabilizuar, të qetë, të pasur e të sigurt njeriu nuk mund të ushtrojë besimin fetar. Tek ai gjejmë të mishëruara parimet dhe virtytet më të mira Islame, të cilat iu vunë në shërbim familjes së tij, shoqërisë dhe atdheut.


Cilat ishin disa prej veprave të tij fetare e letraro-patriotike:

“Libri i së Falmes”,tregon rregullat kryesore të të gjitha namazeve ditore e periodike si dhe dispozitat Kur ’anore në lidhje me këtë shtyllë të Islamit. “Dhanti e Ramazanit”,përmban rregullat e agjërimit, si e kur lejohet që të mos agjërohet, kur ndërpritet agjërimi dhe kur konsiderohet i prishur. Po ashtu përmend dobitë fiziologjike, rëndësinë e edukimit moral nëpërmjet agjërimit dhe vlerën shoqërore të tij. Ilahija “Një lutje shpirtit të madhnueshëm të Resulull-llahit”, botuar shumë herët, është himn fetar i frymëzuar për dashurinë që ka myslimani për Profetin e tij dhe për Islamin. Te libri “Patriotizma në Tiranë”, autori ka marrë në analizë zhvillimet e shoqërisë shqiptare dhe pjesëmarrjen e atdhetarëve të Tiranës në veprimtari patriotike, para e pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, e përhapur kjo lëvizje edhe në qytete të tjera të vendit. Poema satirike “Dokrrat e Hinit” vë në lojë ata njerëz që nuk i sjellin asnjë dobi atdheut e shoqërisë dhe e kalojnë kohën nëpër kafene me biseda të kota e të padobishme. Ai i ironizon pseudointelektualët, që i përdorin fjalët e huaja vend e pa vend. Sidoqoftë kryevepra e Hafiz Dalliut është vepra “E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s.”, vepër origjinale në vargje (6143 vargje), por nuk bie më poshtë edhe Tefsiri i Kur ’anit i titulluar “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”, përkthyer dhe përgatitur prej vetë Hafiz Ibrahim Dalliut.
Vlen të përmendet gjithashtu edhe kontributi i tij i paçmuar gjatë viteve ’30 për botimet e shumta që bëri në shërbim të edukimit fetar. Numërohen gjithsej 15 vepra e përkthime, por shumica origjinale. Ndër të gjitha këto shquhet “Tefsiri shqip i Kuranit” në dy vëllime, i përkthyer nga arabishtja.

Libra të tjerë me karakter fetar janë edhe: “Udha muhamedane” (vepër afër 500 faqesh), botuar në Tiranë më 1936, “Mësime teorike dhe praktike të besimit Islam”, Tiranë, 1935 etj. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria, veprimtaria dhe kontributi i Dalliut për 45 vjet u la në harresë nga sistemi komunist.

Figura e tij u vlerësua e u ngrit lart vetëm pas rënies së këtij regjimi dhe në prill të vitit 2016, Hafiz Ibrahim Dalliu do të dekorohej nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani me titullin “NDERI I KOMBIT” pas vdekjes. Kështu edhe pas këtij hapi, do të niste puna intensive për hapjen e shkollës. Me përkushtim, impenjim dhe ndihmë të pakushtëzuar u mundësua përgatitja për rrugëtimin e shkollës “Hafiz Ibrahim Dalliu”. Suksesi i parë do të shënohej në vitin 2014, kur shkolla do të merrte licencën e ushtrimit të aktivitetit si Arsim Parauniversitar për Arsimin Fillor
(klasat I-V) dhe Arsimin e Mesëm të Ulët (klasat VI-IX). Në një godinë të përshtatshme dhe pozicion gjeografik shumë të favorshëm me në krye Prof. Bedri Telegrafin, shkolla do të hapte dyert e saj për nxënësit e parë të ciklit 9-vjeçar në vitin shkollor 2014-2015.

Në vitin 2015 do të vinte edhe suksesi i radhës duke u miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit licenca për Arsimin e Mesëm të Lartë. Në këtë  formë “H.I.Dalliu” do të kompletohej si institucion i Arsimit Parauniversitar. Viti shkollor 2015-2016 do të niste me 281 nxënës nga klasa I deri në klasën X. Gjatë këtij viti dhe në vijim do të ndërmerreshin ndryshime rrënjësore në përmirësimin e kushteve, cilësisë dhe mjeteve didaktike në shkollë.

Godina i rimerimetua dhe u zëvendësua e gjithë baza materiale (banka, tavolina, tabela etj), u përmirësuan ambientet e gjelbra dhe ato sportive, u kompletuan plotësisht për të dy ciklet e shkollës (9-vjeçar dhe
i mesëm) laboratorët e biologjisë, fizikës dhe kimisë, u shtuan kabinetet e informatikës dhe salla e aktiviteteve etj. Ndryshime dhe arritje rezultuan edhe në planin mësimor të shkollës, në arritjet e nxënësve dhe pranimet në shkollë, të cilat aktualisht bëhen sipas notës mesatare dhe testimit për klasat VI, IX dhe X. Nga dita në ditë “H.Ibrahim Dalliu” po ngrihet e përmirësohet hap pas hapi duke rritur përkushtimin ndaj nxënësve dhe komunitetit e duke punuar intensivisht për realizimin e objektivave, misionit, vlerave dhe vizionit të shkollës.